Rasti që tronditi Prishtinën: Viktima dhe dorasi janë vëllezër të regjisorit kosovar

Familja Myftari në Prishtinë ka dalë me njoftim për vdekjen e djalit, Auronit, i cili dyshohet se u ther me thikë për vdekje nga vëllai i tij, Genti, mbrëmë te banesa e tyre në Prishtinë. Sinjali ka publikuar detajet e rastit qysh mbrëmë dhe incidenti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia.

Regjisori Agon Myftari ka bërë të ditur lajmin tragjik dhe ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri.

“Me dhimbje të thellë e me zemër të thyer, ju njoftojmë se djali e vëllau jonë, Auron (Hazir) Myftari, në rrethana tragjike, mbrëmë ka humbur jetën. Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në varrezat e qytetit në Arbëri. Për detajet e sakta rreth varrimit, do të njoftoheni me kohë.

Rrethanat që kanë dërguar në humbjen e parakohshme të jetës së Auronit, janë duke u hetuar nga policia. Prandaj, kërkojmë mirëkuptim që të mos spekulohet deri sa organet e rendit ta japin versionin e tyre për ngjarjen tragjike”, shkruhet në postim.

Ndërkaq, Gent Myftari, i dyshuari në lidhje me këtë rast pas arrestimit dhe intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore.

Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, ka njoftuar Policia.