Spitali i Pejës ka njoftuar të shtunën se ka shkarkuar edhe dy drejtorë në Spitalin e Pejës, në lidhje me rastin e foshnjës, e cila një javë më parë ishte futur në rrobalarëse, pasi kishte lindur e vdekur.
Në njoftimin e Spitalit thuhet se së fundmi janë shkarkuar edhe drejtori mjekësor dhe drejtori për infermieri.
“Në kuadër të masave lidhur me rastin e trajtimit të frytit të vdekur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Drejtori Ekzekutiv ka shkarkuar Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri. Shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte menaxheriale lidhur me rastin e frytit të vdekur”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, Spitali ka shkarkuar edhe shefin dhe kryeinfermieren e repartit të Gjinekologjisë.
“Sot, si vazhdim i masave disiplinore është shkarkuar Shefi i Repartit të Gjinekologjisë dhe Kryeinfermierja e Repartit të Gjinekologjisë, ndërsa që presim përfundimin e të gjitha procedurave tona disiplinore, por sidomos edhe gjetjet e autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në hetim për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme ndaj cilitdo të përfshirë në këtë rast”, thuhej në njoftimin e të premtes.
Rasti me foshnjën e lindur e vdekur në Spitalin e Pejës e që ishte futur në rrobalarëse nga personeli, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë
Sipas sqarimit të Spitalit të Pejës, aborti me intervenim kirurgjik ka ndodhur në natën e datës 13.12.2022, ndërsa që ngjarja e frytit të vdekur ka ndodhur më 14.12.2022.
“Me t’u informuar për ngjarjen, menaxhmenti i Spitalit ka informuar organet e Policisë dhe po atë ditë deri në orë të vona, kemi ofruar bashkëpunimin tonë të plotë tek Policia, Prokuroria e Inspektorati Shëndetësor që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe në të njëjtën kohë është informuar mbi ngjarjen drejtoria e SHSKUK. Po në këtë ditë, Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin me një komunikatë që po e heton këtë rast, ndërsa është praktikë e njohur që për rastet e ndjeshme, me disa të përfshirë për realizim të hetimeve, informatat jepen të rezervuara”, thuhej në sqarimin e Spitalit për ngjarjen.