Prova kryesore e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, është dërguar për ekzaminim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.
Nikçi, tha se prova është dërguar përmes Ambasadës amerikane, dhe pas pranimit të raportit do të kryejnë veprimet ligjore për gjetjet e tij.
“Kjo provë është dërguar më herët në shtetin e Turqisë, mirëpo nuk kemi pranuar rezultate të detajuara, me ç’rast është dashur të dërgohet në SHBA. Ne jemi optimistë se do të ketë të gjetura”, tha Nikçi për Klankosova.tv
Lidhur me rastin e vrasjes në vitin 2015-të, i dyshuari i vetëm, kushëriri i viktimës, Naser Pajazitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në korrik të 2019.
Dënimi ishte ulur nga Gjykata e Apelit, në 35 vjet burgim.
Ndërkaq, në muajin prill, Gjykata Supreme e kishte liruar nga akuzat për vrasje Naser Pajazitajn.
Sipas aktakuzës së vitit 2017, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi “Kroi i Lajthisë”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri me dy plumba në kokë e kishte vrarë e më pastaj për të humbur gjurmët e tashmë së ndjerës, të njëjtën e kishte mbuluar me drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Por, për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim, që rezultoi me dënim me burgim të përjetshëm për Pajazitajn.
Naser Pajazitaj, ka kërkuar 1 milion e 150 mijë euro dëmshpërblim nga shteti, për dëmin që pretendon se iu shkaktua gjatë kohës kur përballej me këto akuza.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që ta dëmshpërblejë Naser Pajazitajn me 61 mijë e 777 euro e 16 centë.
Mirëpo, Pajazitaj e ka refuzuar këtë shumë duke këmbëngulur në shumën e kërkuar