Rasti i ’11-vjeçares’ së keqtrajtuar seksualisht nga një numër i konsideruar i djemve të moshës së mitur dhe madhore po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke shënuar kështu rastin e katërt të trajtuar nga organet e rendit dhe drejtësisë – ku viktimë është vajza e cila tashmë është 13-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Për rastin e fundit, një grup prej katër personash, që dyshohet se e dhunuan seksualisht ndodhen në paraburgim.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka parë Sinjali, i dyshuari V.A., i cili dyshohet për trafikim me njerëz – më 1 shkurt të këtij viti në një motel në fshatin Shkabaj të Obiliqit, me qëllim që të shfrytëzojë seksualisht të miturën, derisa ka qenë duke punuar si pastrues në këtë motel dhe duke e ditur se është e vetme në një dhomë – dhe nuk kishte mundësi të gjente strehim tjetër, fillimisht i dërgon pije dhe pastaj i organizon takim me dy persona tjerë duke përfituar vet dhe të njëjtit persona më pas shkojnë në motel dhe kryejnë marrëdhënie seksuale me të miturën.
I dyshuari i dytë, P.Sh., në motelin e njëjtë ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, në atë mënyrë që derisa ajo ka qenë në këtë motel, i njëjti në cilësi të recepsionistit, me të kuptuar se viktima është e vetme, shfrytëzon gjendjen e saj dhe futet në dhomën ku ndodhej, ku kryen aktin seksual.
Ndërsa i dyshuari tjetër i këtij grupi, L.A., në datën e njëjte dhe në të njëjtin motel po ashtu, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën – ashtu që në cilësi të pastruesit të motelit, me të kuptuar se viktima është e vetme në motel, hyn në dhomën ku ndodhej dhe kryen aktin seksual.
Edhe G.H., i dyshuari i katërt, po ashtu pastrues i hotelit, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, duke u futur në dhomën ku ndodhej ajo.
Kujtojmë se ky rast përbën rastin e katërt të dhunimit seksual të së miturës së njëjtë.
Në vitin 2022, Prokuroria kishte arritur që të arrestonte një numër të konsideruar të të dyshuarve që kishin dhunuar të miturën e cila në atë kohë ishte 11 vjeçare.