Rastet globale të coronavirusit u rritën me më shumë se 400,000 për herë të parë të premten, një rritje rekord një-ditore ndërsa shumica e Evropës vendos kufizime të reja për të frenuar shpërthimin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Evropa, e cila “uli” me sukses valën e parë të infeksioneve, është shfaqur si epiqendra e re e coronavirusit javët e fundit dhe po raporton mesatarisht 140,000 raste në ditë gjatë javës së kaluar.
Por si rajon, Evropa tanimë po raporton më shumë raste të përditshme sesa India, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara së bashku.
Nga çdo 100 infeksione të raportuara në të gjithë botën, 34 ishin nga vendet evropiane, sipas një analize të Reuters.
Rajoni aktualisht po raporton një milion infeksione të reja rreth çdo nëntë ditë dhe ka raportuar më shumë se 6.3 milionë raste që nga fillimi i pandemisë.
Vendet e mëdha evropiane – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia, Holanda dhe Spanja – përbënin rreth gjysmën e rasteve të reja të Evropës në javën deri më 18 tetor, sipas vlerësimit të Reuters.
Franca po raporton mesataren më të lartë shtatë-ditore të rasteve të reja në Evropë me 19,425 infeksione në ditë, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Spanja dhe Holanda në vendet e prekura më keq evropiane.
Disa vende evropiane janë duke mbyllur shkollat, duke anuluar operacionet dhe duke rekrutuar mjekë studentë pasi autoritetet përballen me një ringjallje të COVID-19.
Rusia po i zhvendosë studentët në mësimin në internet dhe Irlanda e Veriut po mbyll shkollat për dy javë dhe restorantet për katër javë.
Në Spanjë, autoritetet në Katalonjë urdhëruan baret dhe restorantet të mbyllen për 15 ditë dhe kufizuan numrin e njerëzve të lejuar në dyqane.
Republika Çeke gjithashtu ka “zhvendosur” shkollat në mësimin në distancë dhe ka në plan të thërrasë mijëra studentë të mjekësisë.
Spitalet po presin procedurat mjekësore jo urgjente për të liruar shtretërit.
Madje, zyrtarët polakë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se vendi është në prag të një fatkeqësie pasi një raport rekord prej 6,526 infeksionesh të reja me coronavirus dhe 116 vdekje u raportuan këtë javë.
Polonia po rrit trajnimin për infermierët dhe po konsideron krijimin e spitaleve ushtarake në terren.
Në anën tjetër, Amerika Latine është rajoni më i prekur me rreth 27% të rasteve të përgjithshme COVID-19 të ndjekura nga Azia, Amerika e Veriut dhe Evropa, sipas një analize të Reuters.
Veç këtyre, India po raporton më pak raste këtë muaj krahasuar me shtatorin, me 69,000 raste në ditë, sipas analizës së Reuters.
Shifrat kanë rënë me më shumë se 20,400 gjatë tre javëve të fundit, 22% më e ulët se sa kulmi i saj i mëparshëm.
Ky vend raportoi 55,342 raste më 13 tetor, rritja më e ulët ditore që prej 18 gushtit.
Në Shtetet e Bashkuara, e cila ka numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve në botë, infeksionet e reja po rriten së bashku me pacientët e hospitalizuar me COVID-19 që nga fillimi i shtatorit.
Ndërkohë përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë u goditën nga pengesat, me Johnson & Johnson JNJ.N duke ndalur testet pas një sëmundjeje të pashpjegueshme të një pjesëmarrësi në studim.
Dhe testi i AZN.L i AstraZeneca në SHBA ka qëndruar në pritje për më shumë se një muaj. /