Numri i madh i rasteve të tentim vetëvrasjeve të të rinjve në Kosovë është bërë një dukuri mjaft shqetësuese. Shumë shpesh, qytetarë të moshave të ndryshme, e madje edhe të mitur tentojnë të vetëvriten përmes formave të ndryshme. Familjet janë ato që përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë ata.
Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën në një familje në Novosellë të Pejës, ku një 13-vjeçare dyshohet se ka konsumuar medikamente në sasi të tepruar, duke iu përkeqësuar kështu gjendja shëndetësore. Rasti ka ndodhur në oborrin e shkollës, kur vajza ka rënë përtokë dhe menjëherë është njoftuar Emergjenca.
Ato momente ishin të tmerrshme për dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes, të cilët e kanë dërguar vajzën në spital. Posa e mitura është pranuar nga ekipi mjekësor, është kthyer në jetë, pasi fillimisht ishte pa shenja jete.
Për shkak të gjendjes serioze, nga Spitali Rajonal në Pejë, 13-vjeçarja është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të marrë trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor.
Burimet nga Emergjenca thonë se Policia është njoftuar për atë që ka ndodhur, me ç’rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti si “Tentim vetëvrasje” dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e ngjarjes.