Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është ftuar për të dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionëshi.
Të akuzuarit në këtë rast janë ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj, Pal Lekaj, dhe të tjerë, Eset Berisha, Besim Tahiri dhe Nebih Shatri.
Haradinaj ka ardhur me ftesën e Musa Damatit, mbrojtësit të Pal Lekajt. Në këtë rast paraprakisht ishte dëgjuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Berdi Hamza.
Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxheti i Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,32,346 euro.
Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.
Kallxo.com