Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë për Periskopin ka folur edhe për çështjen e Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ditë më parë, Lladrovci kishte marrë ftesë për intervistim nga prokurorët e kësaj gjykate. Ai ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit ndërsa për Periskopin shprehet me tone patriotike dhe mbron luftën e UÇK-së.
“Po, dje jam intervistuar në cilësi të dëshmitarit. Jeta ime është e lidhur me çlirimin e vendit tim. Asgjë në jetën time nuk do ta ndryshoj as heqi nga kjo përvojë. Krenar me gjithçka që kam bërë. Njëqind jetë janë pak për Kosovën dhe kombin.” – ka deklaruar ai.
Më tej, ai shton se “kurrë nuk do të arrijnë ta njollosin luftën e UÇK-së” edhe pse, vetë është ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe jo në atë të të dyshurit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për individ por misionin fisnik e të drejtë të UÇK-së. Nuk pres që Kurti apo kushdoqoftë mund ta zhbëj këtë gjykatë.” – përfundon z.Lladrovci.