Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka deklaruar se nëse qytetarët nuk i përmbahen manualit të prezantuar sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe masave të mëhershme mbrojtëse, do të kthehemi në pikën zero.
Sipas tij pritet që të ketë edhe më tepër rritje të rasteve me COVID-19 në ditët në vazhdim, raporton Klina.info
Madje Ramadani theksoi se qytetarët nuk e kanë dhënë provimin sa i përket mirëmbajtjes së masave mbrojtëse për këtë pandemie.
“Në këtë ditë vendimtare, dy javë pas lehtësimit të masave po bëjmë një manual për të parandaluar dhe vazhduar për të marrë masat për të luftuar covid-19. Në këto dy javë kur menduam se qytetaret do të jetë i pavarur në ndërmarrjen e masave të thjeshta të sjelljeve të tyre të përditshme, që kanë të bëjnë me mbajtjen e distancës, maskave dhe higjienën e tyre personale po u them në emër të IKSHPK-ë se kjo nuk është arritur. Qytetarët nuk e kanë dhënë provimin, nuk iu përmbajtjen rekomandimeve dhe pati rritje të rasteve dhe do të ketë rritje të rasteve në këtë javë. Kemi përpiluar këtë manual që është në fuqi menjëherë edhe pse s’është dokument ekzekutiv por do të fillojë të funksionuari nga përfundimi i kësaj konference. Zbatuesit e saj do të jemi së pari të gjithë ne, e më pas organet mbikëqyrëse, inspektorët dhe organet e rendit që do të mbikëqyrin të gjitha llojet e institucioneve”, tha Ramadani.
Ai shtoi se për shkak të pakujdesisë dhe nëse nuk i përmbahemi edhe këtij manuali do të kthehemi në pikën zero.
“Këtë po u premtoj si profesionistë, s’do të lejojmë të vdesin njerëzit për shkak të pakujdesisë së të tjerëve. Profesionistët shëndetësorë për 5 muaj pa ndërprerë, me 20 orë punë në ditë s’do të lejojnë të vdesin njerëzit për shkak të pakujdesisë së të tjerëve”, përfundoi ai./Klina.info