Blerja e gjësendeve ushqimore pa para në dorë, me kusht që blerësi të paguajë më vonë është një dukuri e shpeshtë në vendin tonë, e që njihet si ‘veresie’. Kjo praktikohet nga shumë biznese, sidomos në marketet e fshatrave, për shkak se banorët njihen mes vete. Por ndryshe ka ndodhur në një market në fshatin Kaliqan të Istogut, ku pati përleshej dhe një person u arrestua,
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u arrestua dyshohet se ka rrahur shitësin e marketit, duke e grushtuar, pasi ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jap disa gjësende që i kishte kërkuar veresi.
Për pasojë, pas një përplasje verbale, qytetari iu vërsul viktimës dhe përveç që e sulmoi fizikisht, ia demoloi edhe një pjesë të marketit.
Përballë kësaj situate, shitësi njoftoi menjëherë Policinë, me ç’rast një njësi policore doli në vendin e ngjarjes, ku edhe arrestoi personin e dyshuar. Sipas informacioneve të para, i njëjti ka qenë në gjendje të dehur kur ndodhi rasti.
Sinjali mëson se pas shoqërimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ta dërguar në mbajtje të dyshuarin dhe ndaj tij të iniciohen rastet për dy vepra penale Sulm dhe Asgjësimi apo dëmtim i pasurisë.