Qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të pajisen në formë më të lehtë me certifikatën e të kaluarës penale.
Kjo pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, do të lansoj formën online për tu pajisur me këto certifikata.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj tha se qytetarët nuk do të kenë më nevojë që fizikisht të paraqiten para sporteleve në gjykata.
Sipas një njoftimi të KGJK-së, këto Zogaj i ka thënë gjatë pjesëmarrjes në punëtorinë treditore të organizuar në bashkëpunim me Projektin e Bashkimit Evropian për Evidencë Penale.
“Kryesuesi Zogaj, informoi pjesëmarrësit se, KGJK planifikon që së shpejti të lansoj këtë shërbim online për qytetarët e Kosovës, me ç ‘rast kërkoi angazhimin e pakursyer të tyre në finalizimin e të gjitha aspekteve teknike dhe ligjore ashtu që, pa asnjë vonesë të ofrohet ky shërbim tejet i rëndësishëm për gjyqësorin e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Sistemi elektronik qendror dhe modern është themeluar tashmë dhe është funksional në të gjitha gjykatat themelore dhe degët përkatëse, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe faza pilotuese është duke u zhvilluar me sukses”, thuhet në njoftim