Fillimviti për disa komuna në Kosovë ishte i vështirë. Nga vërshimet e janarit në qytetet Skenderaj, Mitrovicë, Klinë e Podujevë, u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Me një organizim humanitar, qytetarët mblodhën para dhe kontribuuan për ndihmë.
Lumbardh Kukaj, bashkorganizator, tha se shuma e premtuar ka qenë rreth 500 mijë euro. “Ne kemi funksionuar me zotime, njerëzit kanë telefonuar dhe kanë premtuar vlerën e caktuar për komunën e caktuar, sa e kam pa pas eventit komuna e Skenderajt ka bërë publikë një vlerë prej 400 mijë euro e komunat tjera nuk kam pa që kanë bërë njoftime publike”, tha ai.
Në përgjigje për RTK-në, komuna e Klinës dhe ajo e Podujevës kanë bërë publike shumën e mbledhur të parave të cilat janë dhuruar nga qytetarët. Ata kanë shpjeguar se si do t’i ndajë, ndërsa vazhdojnë të presin për kompensimin e dëmeve nga qeveria.
“I kemi mbledhë mbi 31 mijë euro por që ende nuk kemi vendos se si do ta shpërndajmë këtë shumë për arsye se po presim mendimin e nivelit qëndror, se a do të fokusohemi me këtë shumë vetëm te ekonomitë familjare apo çfarë do të bëjmë do t’a vendosim së bashku, kryetari i komunës”, tha Qëndrim Millaku, dretor i shërbimeve publike, Klinë.
“Gjithsej nga ky event janë mbledhur 11, 447 euro, i kemi dy lloj ndihmash, shuma e parë e mbledhur 6837 euro dhe shuma e dytë 4574 euro. Këto mjete do të shfrytëzohen nga komuna e Podujevës do të shfrytëzohen për rregullimin e infrastrukturës përkundër që nuk mjaftojnë, do të shtohen nga buxheti komunal, për të rindërtuar infrastrukturën në fshatin Pakashticë e cila ka qenë më e prekura nga këto vërshime. Raportin final e kemi dorëzuar në qeverinë e Kosovës të cilët brenda pak ditësh siç jemi informuar do të bëjnë edhe kompensimin për qytetarët e prekur nga këto vërshimet”, tha Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Ndryshe, Komuna e Mitrovicës nuk kishe marrë pjesë me xhirollogarinë e vet në këtë ngjarje humanitare, por para disa ditësh kjo komunë ka ndarë nga buxheti i saj, nga 2500 euro për familjet e prekura nga vërshimet.