QYTETARËT ANKOHEN TE POLICËT E RINJ: PO JAPIN GJOBA PA U MENDUAR DY HERË

Policisë së Kosovës i është shtuar një numër i policëve të rinj, dhe aksionet e tyre, sidomos në kryeqytet për të gjobitur ngasësit që nuk prakojnë veturat e tyre në vendet adekuate, po kritikohen nga qytetarët, sidomos për faktin se Komuna e Prishtinës, nuk ka ndërmarr ende asnjë hap për të krijuar hapësira të reja parkimi.

Qytetarët shprehen pro punës së policisë, por ata kërkojnë që policët të jenë pak edhe të arsyeshëm në raport me kushtet në qytet. Sipas tyre, do të ishte i arsyeshëm rigoroziteti i policisë, sikur Komuna të kishte ofruar kushte më të mira për parkimin e veturave.

Por, ata thonë nuk është e drejtë që në njërën anë shteti të kërkojë maksimalisht respektimin e rregullave nga qytetarët, e në anën tjetër atyre të mos u ofrojë as kushte minimale infrastrukturore.

“Po kam pasur rast para 1 javë të rrethi i flamurit, isha në veturë dhe ka ardhur policia ma ka kërkuar patentë shoferin. Nuk kam qenë i parkuar por brenda në kërr jam duke e pritur djalin me dal prej punë. Ma ka marr patentë shoferin dhe me ka dënuar 30 euro. Kanë marr mënyre tepër euforike, ndoshta edhe mosha e bënë të veten”.

“Kam pasur raste kur ma kanë vendosur një fletë të vetura por ne nuk po dimë se ku me e parku sepse u mbushë qyteti plotë. Kemi nevojë më shku në punë, me u afru sa më shumë pasi jetojmë në periferi. Ata duhet më pasur parasysh, nëse ne parkojmë keq është vet fakti se nuk kemi ku të parkojmë, shteti duhet më ba hapësira. Nuk kam pasur ndonjë konflikt të tillë, por i kam parë nëpër qytet duke u sjell dhe kjo është njëfarë mase në këtë periudhë tranzicioni të qeverisë, për më treguar përkushtim ndaj rendit. Por është qasje e gabuar sepse duhet me u analizuar më thellë edhe me gjet zgjidhje më të mira”, ka thënë një qytetar në një prononcim për EkonomiaOnline.

Me probleme të ngjashme po përballen edhe furnizuesit e lokaleve tregtare. Ata thonë se po gjobiten nga policët e rinj, edhe nëse vetura e tyre është e parkuar përkohësisht para lokaleve derisa të dorëzojnë mallin e dedikuar për lokalet partnere të tyre.

“Po sa pata rast dhe më dënuan. Jam furnizues i lokalëve dhe më dënuan për furnizim. Unë e la 2 minuta ose 3 dhe vazhdoj punën por më dënuan. Sjelljet janë jo të mira”, thotë ai