Me vendim të Qeverisë së Kosovës, sonte në ora 24:00 do të pezullohen të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara tha se me përjashtim të Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës, sonte deri në mesnatë do të realizohen të gjitha fluturimet, ndërsa pas kësaj kohe me vendimin e qeverisë, fluturimet nga shtetet tjera mund të arrijnë, por pa udhëtarë.
Gara tha se udhëtarët duhet t’i kontaktojnë kompanitë ajrore, në mënyrë që të kuptojnë se a do të sjellin aeroplanë të zbrazur ato kompani.
“Sipas vendim it të Qeverisë së Kosovës sot mund të realizohen, përveç Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Zvicrës, mund të realizohen të gjitha fluturimet deri në orën 24:00. Pas kësaj ore hyn në fuqi vendimi tjetër, i cili parasheh se fluturimet nga shtetet tjera, mund të arrijnë, por pa udhëtarë, ndërkaq nga Kosova për në shtete tjera mund t’i bartin udhëtarët. Udhëtarët që po shihen tani janë disa për fluturime në Gjermani dhe Zvicër, të cilat kanë arritur pa udhëtarë, mirëpo i bartin këta të cilët kanë mbetur në Kosovë…Udhëtarët duhet të kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore, që të kuptojnë se a do të sjellin aeroplanë të zbrazur për t’i bartur nga Kosova”, tha Gara.
Të shqetësuar me këtë situatë janë udhëtarët, sipas të cilëve çmimet e biletave kanë arritur deri në rreth 1 mijë euro.
Tahir Çallakaj nga Komuna e Deçanit, i cili udhëton për në Zvicër, u shpreh i shqetësuar me ngritjen e çmimeve që po bëjnë agjensionet, ku sipas tij, çmimi i biletave ka arritur rreth 500 euro.
“Kam ardhur ditën e mërkure. Udhëtoj për në Bazel. Është dashur të shkoj dje, por nuk ka pasur (fluturim) faktikisht… Kam parë njerëz që kanë ardhur në agjenci për të pyetur lidhur me situatën dhe ka pasur njerëz që janë detyruar të nxjerrin biletën e re deri në 400-500 euro. E kanë paguar. Pyetni këto agjenci si po veprojnë…Askush deri më tash nuk më ka kontrolluar, as nuk më ka pyetur kurrgjë”, tha Çallakaj.
Sabrie Doda-Hajdari, tha se edhe pse biletat i kanë pasur kthyese, ato bileta janë shitur mbas dore nga 1mijë euro, duke bërë kështu që udhëtarët të mbesin në aeroport.
“Të shtunën kemi pasur udhëtimin për në Cyrih. Biletat i k emi pasur kthyese. Edhe pse ka pasur edhe tjerë udhëtarë me bileta kthyese, biletat janë shitur mbas dore nga 1 mijë dhe udhëtarët kanë mbetur në rrugë. Ne kemi mbetur në aeroport. Ka ardhur gruaja me një fëmijë të vogël, ka blerë biletën 800 euro. Pasi e ka paguar biletën, i kanë thënë se avioni nuk fluturon, por as paratë nuk ia kanë kthyer”, tha Hajdari. Kosova është prekur nga koronavirusi, me 13 raste deri më tash. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa parandaluese për përhapjen e kësaj sëmundjeje, e cila ka prekur pothuajse të gjithë botën. Në mesin e tyre janë edhe pezullimi i fluturimeve ajrore.