Qka thotë eksperti i fushës së ekologjisë dhe mjedisit për ndërtimin e fabrikes së cimentos.

.

Një vlerësim profesional i ekspertit të ekologjise dhe mjedisit Z.Faton Berisha, tregon se cfarë dëmesh do të shkaktohen në qoftëse ndërtohet fabrika e cimentos në Klinë.
Lexoni vlerësimin e tij të plotë më poshtë.

KUNDËR NDËRTIMIT TË FABRIKËS SË ÇIMENTOS NË KOMUNËN E KLINËS

I. Zhvillimi i qëndrueshëm

Me konventa ndërkombtare është përcaktuar që zhvillimi ekonomik të respektoj parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili merr parasysh ndikimet negative të aktiviteteve ekonomike ndaj mjedisit jetësorë. Zhvillim i qëndrueshëm do të thotë ekuilibër harmonik midis nevojave sociale, ekonomisë dhe mjedisit.
Me fjalë të tjera, një ndërmarrje ekonomike që sjellë më shumë dëmë në mjedis e me këtë cenon shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, rrjedhimisht nuk ka asnjë dobi ekonomike, por sjellë dëme për atë komunitet, përveç lakmisë për pasurim të individit sipërmarrës.
Sipas një studimi të Bankës Botrore të vitit 2010, në Kosovë mesatarja e kostos vjetore nga ndotja e mjedisit është 222 milion euro.

II. Më shumë dëm sesa dobi

Çfarë do të thotë ndërtimi dhe operimi i një fabrike të çimentos për zonën?
Fabrikat e çimentos janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në botë, ku llogaritet që lirojnë deri në 7% të dioksidit të karbonit në atmosferë në nivel global.
Dëmet që shkakton ndërtimi dhe operimi i një fabrike çimentoje:
1. Shkatërrimi i peisazhit;
2. Shkatërrimi i habitatit;
3. Emetimi i pluhurit;
4. Emetimi i monoksidit dhe dioksidit të karbonit;
5. Emetimi i oksideve të azotit;
6. Emetimi i dioksidit të sulfurit;
7. Lirimi i erës së keqe(nga djegia);
8. Shkarkimi i ujrave industrial;
9. Zhurma.

III. Si funksionon një fabrikë çimentoje

Procesi i prodhimit të çimentos kërkon sasi enorme energjie, nga e cila 75% është energji termike, dhe 25% është energji elektrike.
Guri gëlqerorë thehet, bluhet (kjo krijon zhurmën dhe pluhurin), i shtohet argjilë(apo minerale tjera) dhe pastaj kjo përzirje duhet të kalojë në temperaturë 1450 0C. Nga procesi kimik i ndarjes së karbonatit të kalciumit, lirohet dioksidi i karbonit.
Për realizimin e këtij procesi është e domosdoshme ekzistenca e furrave.
Kjo e paraqet problemin kryesor sepse për të arritur temperatura deri në 1450 gradë, është e domosdoshme përdorimi i karburantëve fosil që zakonisht përdoren thëngjilli apo koks nafte. Koks nafte është materia bazë që përfitohet nga përpunimi i naftës, lënda bazë nga e cila prodhohen të gjitha materialet e plastikës.
Djegia e këtyre materieve liron sasi enorme tymi, grimca pluhuri, dhe gazra të karbonit, azotit, sulfurit e të tjerë.

IV. Dëmet shëndetsore nga gazrat e liruara

1. Monoksidi i karbonit: Redukton furnizimin me oksigjen të organeve dhe indeve të trupit, ndikon negativisht në sistemin kardiovaskular, sidhe në sistemin nervorë qendrorë. Kontribon në krijimin e smogut, që sjellë pasoja negative për rrugët e frymëmarrjes.
2. Oksidet e azotit: Irritojnë mushkëritë, ulin funksionimin e mushkërive, kurse ekzpozimi për një kohë të gjatë ndaj tyre shkatërron indet e mushkërive duke shkaktuar emfizema. (Tek bimët, reduktojnë shpejtësinë e rritjes, shkaktojnë rënie të gjetheve dhe humbjen e ngjyrës së bimëve, krijojnë shi acidik).
3. Dioksidi i sulfurit: Ndikon negativisht në frymëmarrje, sidomos tek fëmijët dhe personat me probleme respiratore apo kardiovaskulare, po ashtu kontribon në krijimin e shiut acidik që ndikon në të gjitha komponentet e mjedisit.

Për fund, duke marrë parasysh të gjitha pasojat negative që sjellë ndërtimi dhe operimi i një fabrike çimentoje, ne si qytatar duhet të kundërshtojmë kategorikisht një inicitivë të tillë, sepse mbrojtja e mjedisit natyrorë, është baza e shëndetit dhe mirëqenies sonë.
Kamoflimet e paraqitjes së projektit gjoja me standarde, me përdorim filtrash e gjëra të ngjashme janë vetëm mashtrime. Operimi i një fabrike të tillë në komunën tonë, do thotë fund për ajrin e pastër, jo vetëm për komunën e Klinës, por një pjesë të madhe të Dukagjinit.
Stop degradimit të natyrës dhe mjedisit, stop kërcënimit të shëndetit dhe mirëqenies së njerëzve!!