Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi në një konferencë për media ka folur për keqpërdorimet që kanë gjetur në njësitë për patentë-shoferë.
Durmishi tha se bëhet fjalë për një ndërmarrje të gjerë kriminale.
“Këtu bëhet fjalë për ndërmarrje të gjerë kriminale ku janë të involvuar shumë njerëz sepse të gjitha këto veprimtari anti ligjore nuk mund të bëhen nga një person i vetëm. Është çështje e Prokurorisë e Gjykatës ta trajtojnë me seriozitetin më të madh këtë që po ndodh”, tha Durmishi.
Ai tha se ka qindra raste të dyshuara për keqpërdorime dhe qyteti që prin është Peja.
“660 kandidatë gjatë vitit 2023 që kishin kaluar provimin praktik në kategorinë B, C dhe C1. Të gjithë këta kanë qenë pothuajse nga qytete të ndryshme të Kosovës, ku prin Podujeva, Malisheva, Gjilani , Drenasi, Kamenica etj. Është shumë e dyshimtë kur një kandidat nga Kamenica shkon në Pejë për të kaluar provimin. Më datë 22 janar 2024 Komisioni monitorues ka vizituar njësinë e pantentë shoferit në Pejë dhe kanë kërkuar disa dosje si të dyshimta. Nga të gjeturat kanë konstatuar se në shumë dosje ka mospërputhje me dokumentacionin. Ka raste kur kandidati i është nënshtruar provimit në pjesën teorike më 2023 në Prishtinë, ndërsa në dosje figuron se i njëjti e ka kaluar provimin më 2022 në Pejë. Gjithashtu kemi vërejtur se është keqpërdorur emri dhe nënshkrimi i një kandidati që është në pension.
Kjo që e paraqitëm ka të bëjë kryesisht me Pejën, por gjendje më e mirë nuk është as në qytetet tjera”, tha Durmishi para mediave.
I pyetur se çfarë masa pritet të ndërmerren ndaj personave që kanë marrë patentë shoferin me dallavere, Durmishi tha se atyre do tu konfiskohet patentë shoferi, derisa nuk shpjegoi procedurat se si do të pajisen me to në të ardhmen.
“Në qoftë se këto vërtetohen ne do t’i anulojmë këto provime dhe do të konfiskohen këto patentë shoferë sepse janë marrë në mënyrë të kundërligjshme, është procedurë tjetër si do të pajisen në të ardhmen”, tha Durimishi.