Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq nuk u takuan në Bruksel. Ky raund i dialogut përfundoi sot vetëm me takime të ndara të zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe negociatorin serb me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Në këtë udhëtim, delegacioni serb kishte paralajmëruar se do të kërkonin që të diskutohej edhe për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në territorin e Kosovës, por kur bisedimet përfunduan zgjedhjet nuk i përmendi asnjëra palë. Kosova vazhdon të rezistojë, duke refuzuar që të ketë organizim të tyre në vend, pavarësisht se kjo i është kërkuar nga shumë anë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha sot se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Për Qeverinë, s’ka mundësi që ato të organizohen këtu, siç kishte ndodhur gjatë viteve të kaluara, sidomos pasi e refuzuan zhvillimin e referendumit të Serbisë në janar.
Të gjithë jemi në dijeni që Serbia i ka pretendimet e saja për t’i mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë, jo sepse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet, mirëpo sepse ajo ka pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
“Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit, mirëpo edhe qëndrimet e Qeverisë janë në linjë të njëjtë. Po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit. Qytetarët të cilët kanë dy shtetësi, natyrisht që ne duhet t’u ofrojmë zgjidhje, mirëpo atë zgjidhje e kemi dhënë që (të votojnë) në zyrën ndërlidhëse këtu apo me postë. Këto janë propozimet që i kemi thënë edhe publikisht. Nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”, ka thënë ministrja në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë në fillim të shkurtit, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës nga serbët në Kosovë.
“Duhet të gjenden modalitete. U përket të dyja palëve, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja do të ndihmojnë”, pati thënë Lajçak.
Ambasadori i Shteteve të Bashkura të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, ka thënë se Kosova gëzon të drejtën e saj si shtet i pavarur, që “të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.
Deklarimet e ambasadorit amerikan në OSBE erdhën pak ditë pasi Serbia organizoi një referendum, të cilin institucionet kosovare nuk lejuan të mbahej në Kosovë.
“Në lidhje me referendumin, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, pasi ne besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Ndërsa, le të jemi të qartë për qëndrimin e ShBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të përcaktuar kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, ka deklaruar Michael Carpenter.
Të premten, kryeministrin Albin Kurti e telefonoi këshilltari Special i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Në një postim në Tëitter, Chollet ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për praktikat kur Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) “është pajtuar me kërkesat e shteteve të tjera për votime me prani fizike”.
Në janar, Kosova nuk e ka lejuar zhvillimin e një referendumi të Serbisë, për çështje të gjyqësorit dhe nga Qeveria është kanë thënë se ngjashëm do të veprohet edhe me zgjedhjet e prillit.
Deri më tash, Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim, pavarësisht të gjitha thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar.