10 milionë euro shtesë do të ndajë Qeveria e Kosovës për Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
Paratë do të shkojnë për projektin e ri “Qeveria për familje”, i prezantuar ditë më parë nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Ditë më parë, Murati në një konferencë për media kishte treguar kriteret për bizneset dhe të papunët që duan të përfitojnë nga masa e fundit e Qeverisë për “punësim të garantuar”.