Kryeministri Avdullah Hoti nuk do ta përfill kërkesën për pezullim të dialogut me Serbinë, të cilën një ditë më parë e ka shtruar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që përbën forcën e dytë në koalicionin qeverisës.
Kërkesa është përcjellë të premten në mbledhjen e Qeverisë edhe nga ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Antigona Baxhaku-Idrizi, Këshilltare Politike e kryeministrit Avdullah Hoti, ka konfirmuar për KOHË-n se dialogu do të vazhdojë.
“Në dialogun Kosovë – Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosova merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë”, ka thënë ajo, nëpërmjet një përgjigjeje me email. “Kryeministri Avdullah Hoti, vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese. Qeveria e Kosovës, do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë”.
Ministri Selimi kërkon në mbledhjen e Qeverisë ndërprerjen e dialogut
E, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur gjatë ditës, ministri Selimi kishte arsyetuar nevojën për pezullimin, duke e ndërlidhur atë me aktakuzën e publikuar një ditë më parë nga Gjykata Speciale, e cila i bën përgjegjës për krime lufte presidentin Hashim Thaçi, dy ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe kryetarin e grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi.
“Këto aktakuza më shumë se efekte juridike, po prodhojnë efekte politike me qëllim të dobësimit të pozicionit tonë ndërkombëtar, përballë së cilave nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq”, ka thënë në Qeveri Selimi. “Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi, i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër”.
E, këshilltarja Antigona Baxhaku-Idrizi ka theksuar se Qeveria nuk duhet të përzihet në punët e Speciales dhe as t’i komentojë akuzat.
“Kryeministri Hoti, insiston në zbatimin e parimit të respektimit të ndarjes së pushteteve dhe të mos komentimit të vendimeve të Institucioneve të Drejtësisë”, ka thënë ajo. “Kryeministri Hoti pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike, pasi që Kosova është vend i lirë, që beson në drejtësi”.