Kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar projektligjin për pronën publike.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha që Kosova për herë të parë pritet të ketë një ligj për pronën publike.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë se llojet e pronës do të rregullohen me ligj, Kosova deri më tani nuk ka pasur një ligj ku definohet apo përcaktohet saktë prona publike, prandaj për herë të parë qeveria jonë po e miraton një ligj të tillë me të cilin rregullohet prona publike”, tha Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përpara ministrave të kabinetit qeveritar bëri prezantimin e këtij projektligji.
“Me anë të të njëjti synojmë rregullimin e të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale duke përcaktuar të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë me pronën publike”, tha ajo.
Sipas saj hartimi i këtij projektligji është udhëzuar me strategjinë kombëtare për të drejtat pronësore.
“Qëllimi i këtij projektligji është që i përkufizoj format e ndryshme të pronave, t`i përcaktoj qartë të drejtat dhe detyrimet që dalin nga kategoritë e pronës publike shtetërore dhe pronës së njësive të vetëqeverisjes lokale si dhe çështje të tjera sikurse janë mekanizmat përgjegjës për administrimin e këtyre formave të pronave, kufizimet dhe kushtet e bartjes së pronës publike”, tha ajo
Sipas saj, synimet e këtij projektligji janë rregullimi dhe përcaktimi i pronës publike dhe të drejtave të tjera pasurore dhe Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale, përcaktimi i parimit të administrimit me pronën publike, përcaktimin e objektit të pronës publike si dhe themelimin e një institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe administrimin e pronës publike nga organet e pushtetit qendror.