Qeveria e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhjen e radhës, e cila u mbajt në formë elektronike.
Lajmin e ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit dhe ka njoftuar edhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.
Sipas njoftimit, Qeveria ka rialokuar 320,428.00€ për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në shërbim të zbatimit të Programit “Masat preventive – intervenime emergjente” nëpër komuna të ndryshme.
Po ashtu është miratuar vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme, të konfiskuar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR Nr. 1046/16, në shfrytëzim për Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës.
Kabineti qeveritar po ashtu ka aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e trajtimit të Ujërave të zeza në Ferizaj.