Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë sot një propozim-vendim për ndryshimin e vendimit të qeverisë për rimbursimin e 10 për qind të mjeteve të tërhequra nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Vendimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale ishte marrë në vitin 2020 nga Qeveria Hoti, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve dhe bizneseve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Ndërkaq, Qeveria Kurti kishte vendosur vitin e kaluar për rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga Trusti. Sipas këtij vendimi, rimbursimi i mjeteve të Trustit do të realizohej nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Fondet Pensionale. Aplikimi për rimbursimin e mjeteve, sipas këtij vendimi, do të përfundojë pas tre ditësh, më 31 dhjetor, 2022.
Sot, Qeveria e Kosovës ka vendosur në rend të ditës shqyrtimin e propozim-vendimit për ndryshimin e vendimit për rimbursimin e 10%-shit të Trustit.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr.17/15 të datës 08.06.2021”, thuhet në pikën 32 të rendit të ditës.
Në rendin e ditës së qeverisë, të cilin e ka siguruar Paparaci, nuk jepen më shumë detaje mbi propozimin për ndryshimin e këtij vendimi.
Vendimi që pritet të ndryshohet parashihte që zbatimi i vendimit për rimbursim të mjeteve të tërhequra nga Trusti më 2020, të fillojë nga viti 2023.
“Rimbursimi në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, përcaktohet në çdo vit fiskal duke filluar nga viti 2023”, thuhej në vendim.
Më 11 dhjetor, 2020, kishte filluar aplikimi online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, proces ky që ka zgjatur deri më 6 prill, 2021.