Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Avdullah Hoti, ende s’ka marrë ftesë zyrtare për takimin e radhës për Minishengenin.
Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga zyra për media në kuadër të kryeministrisë.
“Zyra e Kryeministrit të Kosovës është në pritje të ftesës për këtë takim. Sapo të arrijë ftesa dhe të kemi një përgjigje, atë do ta bëjmë publike për mediat dhe opinionin”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Minishengeni Ballkanik, pritet të zgjojë vëmendje të madhe, pasi Kosova për herë të parë mund të marrë pjesë në këtë takim, i cili me shumë gjasë do të mbahet online si pasojë e pandemisë.
Pjesëmarrja e Kosovës në tryezën e bisedimeve të Minishengenit Ballkanik, është një prej pikave që është paraparë në marrëveshjen e firmosur nga kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të këtij viti.
Kosova kishte kundërshtuar ashpër idenë e MiniShengenit, pasi ishte vlerësuar se ajo i largon vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane. Një ide të tillë e kishin kundërshtuar njëzëri i gjithë faktori politik në vend.
Në takimin e parë të MiniShengenit, Serbia nuk e kishte ftuar Kosovën, derisa më pas në ftesat e bëra nga Shqipëria e Maqedonia, Kosova ishte përgjigjur negativisht.
Në takimet e Minishengenit synohet vendosja e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Një ide të tillë vazhdimisht e kishte përkrahur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, në adresë të të cilit krerët e politikës kosovare kishin dërguar mjaftë kritika dhe akuza.