Tri gra dhe tre burra janë zgjedhur në bordin e rregullt të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e ekzekutivit tha se nga bordi i ri presin ngritjen e performancës në këtë ndërmarrje publike.
Tutje, ai tha se në bord është respektuar edhe barazia gjinore ndërsa tregoi se emrat e kandidatëve janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe tek Thesari i Kosovës për t’i verifikuar mbi të kaluarën politike.
“Propozoj që të emërohen në Bordin e Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” këta kandidatë: Fadil Bejta, kryesues, Safije Beseni, anëtare, Hyrmete Mydyti, anëtare, Sebahate Krasniqi, anëtare, Visar Nura, anëtar dhe Gëzim Paci, anëtar”, tha shefi i qeverisë kosovare, Albin Kurti.
Në konkursin publik të shpallur kohë më parë ishin intervistuar 90 kandidatë. Ndërsa, komisioni vlerësues zgjodhi 39 kandidatë për intervistim.
“Komisioni rekomandues prej shtatë anëtarëve, për dallim nga herët e kaluara, komisioni ka qenë i përberë edhe nga ekspertët edhe nga jashtë përveç atyre të brendshëm. Komisioni ka hartuar një listë prej 39 kandidatëve”, tha Kurti të mërkurën në mbledhje të Qeverisë.
“Lista e ngushtë e kandidatëve për intervistim është dërguar për verifikim në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe në Thesarin e Kosovës për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët ka qenë i përfshirë në tre vitet e fundit si zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, tha ai.
Në këtë konkurs kishte pasur edhe disa ankesa, Kurti tha se afati për ankesa është vazhduar për disa kandidatë.
“Është vendosur të jepet afat për ankesë për ata që nuk e kaluan fazën e intervistimit, të gjithë anëtarët e pasuksesshëm janë njoftuar për arsyet e diskualifikimit. Komisioni shqyrtoi 13 ankesa kur prej tyre i aprovuar shtatë.”, tha Albin Kurti.
Në fund, ai tha se procesi për zgjedhjen e anëtareve të Bordit të Postës së Kosovës është monitoruar edhe nga shoqëria civile.