Punëtorëve të sektorit publik të cilët janë në grevë që një muaj, nuk u janë ekzekutuar ende pagat e shtatorit.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ( e premte ), ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, të prezantuar javë më parë dhe e cila ka vlerën e 150 milionë eurove.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se pagat e punëtorëve të sektorit publik janë procesuar, por për ata që kanë punuar me orar të plotë.
Murati tha se shtesa e shumëpërfolur prej 50 eurosh në muaj, nuk do të dalë me këtë pagë, por në tetor në formë retroaktive.
“Punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në 1 mijë euro e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Me qenë se vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa për shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor”, tha ai Murati.
Ai ka thënë se në tetor të gjithë pensionistët me pensione nën 500 euro do të marrin shtesën prej 100 eurove.
Kurse për studentët ka thënë se do t’i marrin nga 100 euro në muajin nëntor.