Punëtorët e Telekomit kanë dal në protestë para ambienteve ku punojnë për shkak të bllokimit dhe zbrazjes së llogarive bankare, si pasojë e përmbarimit nga ish-operatori virtual Dardafon.
Kryesindikalisti i Telekomit, Lamih Balaj, këtë e ka quajtur zhvatje.
“Nuk do të ndodhë më që dikush me zhvatë buxhetin e shtetit. Të gjithë e dinë se kush është fajtor për vjedhjet në Telekom. E din edhe Aleksandër Lumezi (kryeprokurori), mirëqenia e punëtorëve është më e rëndësishmja. Rreth 3.300 punëtorë janë pa paga, e sot jemi në një gjendje kaotike që mafia e përkrahur nga politika e ka vjedh Telekomin. Qëllimi i klanit mafioz është që ta çojë Telekomin buzë falimentimit. Kontrata me Z-Mobile ka qenë kriminale, përse nuk e hetojnë dhe përse e kanë lanë në këtë gjendje këtë ndërmarrje ata e dinë”, ka thënë Balaj.
Ai ka shtuar se punëtorë të Telekomit kanë vdekur gjatë kësaj pandemie.
“Ka prej punëtorëve që na kanë vdekur prej Covid-19 e kemi pasur edhe të infektuar e nuk kanë pasur asnjë mjet për mbrojtje”, ka shtuar ai.
Telekomi ka humbur rastin në Arbitrazh me Dardafonin, apo siç njihet Z-Mobile dhe për këtë detyrohet të paguajë rreth 26 milionë euro.