Në përvjetorin e 17-të të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova është publikuar një video e rrallë në emisionin ‘FAKTE me Adnan MEROVCIN’ nga mbledhja konstituive, e zgjedhjeve të dyta në Kosovë në vitin 1998.
Në këtë seancë solemne të konstituimit të Kuvendit ishin pjesëmarrës të gjithë partitë e Kosovës, të cilë kishin propozuar kandidatët e tyre. Idriz Ajeti, ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa Fatmir Sejdiu ishte zgjedhur sekretar i Kuvendit. Dhe ishin zgjedhur tre nënkryetar të Kuvendit, nga Partia Shqiptare Demokristiane, Zef Morina, Partia Socialdemokrate Ilaz Kurteshi dhe partia Liberale, Gjergj Dedaj.
Pas zgjedhjes së kryetarit dhe sekretarit të Kuvendit, Ibrahim Rugova kishte dhënë betimin e tij të parë si president i Republikës së Kosovës, në bazë të Kushtetutës së Kosovës në vitin 1998.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe drejtave njerëzore qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe, me ndërgjegje dhe përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Ju faleminderit!”
Gjatë mbajtjes së këtij procesi, në atë kohë kishte ndërhyrë edhe Policia për të penguar mbajtjen e kësaj seance, por veçse kishte përfunduar gjithçka. Ishte zgjedhur kryetari dhe sekretari i Kuvendit, e edhe presidenti i Republikës së Kosovës.