Klubi francez, Paris Saint-Germain thuhet se po refuzon të pagujë një bonus besnikërie te ish-ylli i tyre, Kylian Mbappe, i cili kaloi këtë verë te Real Madridit si lojtar i lirë, pas skadimit të kontratës me gjigantin e Ligue 1.
Sipas gazetës Le Parisen, Paris Saint-Germain po refuzon t’i paguajë Mbappes shifrën prej 55 milionë euro që ai kërkon nga ish-klubi i tij.
“PSG ka bërë ankim kundër vendimit të komisionit të LFP. Nuk është vetëm çështje e qëndrimit ligjor të klubit, i cili është plotësisht i justifikuar. Është gjithashtu çështje integriteti, ndershmërie, ruajtjes së vlerave dhe respektit për klubin parisien dhe tifozët, gjë që është më e rëndësishme se çdo lojtar”.
“Nga pikëpamja ligjore dhe faktike, lojtari ka dhënë angazhime publike dhe private, të cilat thjesht i kërkohet klubit t’i përmbushë, përveç kësaj, lojtari ka marrë privilegje të paprecedentë nga klubi gjatë shtatë viteve të tij në Paris”.
“Klubi mezi pret që këto detyrime themelore dhe të padiskutueshme të respektohen në rastin e duhur nëse lojtari vendos të ndjekë këtë çështje, gjë që do të vinte në pikëpyetje reputacionin e tij”, ka shkruar PSG në një deklaratë.
Më herët, Liga Profesionale Franceze e Futbollit (LFP) i detyroi parisienët të paguajnë borxhin ndaj lojtarit. Ata caktuan një afat prej tetë ditësh për pagesën e cila tashmë ka skaduar.
Mbappe beson se klubi i ka borxh 55 milionë euro në përputhje me kontratën e tij të fundit me klubin e Ligue 1. PSG këmbëngul se lojtari pranoi të hiqte dorë nga kjo tarifë pasi vendosi të largohej nga klubi si lojtar i lirë në verë. /Telegrafi/