Për shkak të mungesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Konjufca akuzohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Në këtë gjykim, ishte ftuar si dëshmitar nga Prokuroria edhe ish-deputeti i Kuvendit, Sabri Hamiti, i cili u shpreh i pakënaqur dhe protestoi te gjyqtarja.
“E pse kam ardhë unë këtu, a bën me më kallzu dikush”, pyeti Hamiti.
Gjyqtarja i sqaroi se ai është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria.
“Atëherë unë du me fol sot, se nuk e kam njet me u en’ sallave… që shtatë vjet është kjo”, tha Hamiti.
Pastaj gjyqtarja i tha se nuk mund të mbahet seanca meqë i pandehuri nuk është prezent.
“Kurrfarë kushtesh ligjore… për sot as unë s’kam marrë thirrje të vërtetë”, tha Hamiti.
“Thirrje të vërtetë keni marr përmes policisë, adresa është e pasaktë, e kemi çu për verifikim”, tha gjyqtarja.
Hamiti replikoi sërish ku tha se adresa është e saktë, derisa gjyqtarja u largua nga salla gjatë kohës sa Hamiti po vazhdonte të fliste.