Gazeta Sinjali dje ka raportuar për një rast të sulmit seksual që kishte ndodhur më 16 dhjetor në Gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, ku dyshohet se zëvendësdrejtori i gjimnazit e ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur, në ambientet e shkollës.
Babai i nxënëses, i cili e ka paraqitur rastin në Polici, pretendon se zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi e ka sulmuar seksualisht të bijën e tij, në njërën nga banjot e shkollës.
Sipas tij, vajza ka qenë brenda në tualet, kur aty është futur edhe zëvendësdrejtori i cili dyshohet se ka filluar ta sulmojë seksualisht të miturën.
Në lidhje me rastin nxënësit e Gjimnazit “Hamdi Bersiha” kanë organizuar një protestë në ambientet e kësaj shkolle.
Disa nga protestuesit mbajnë në dorë shënime, ku shkruhet se “Stop dhunës dhe abuzimit seksual”.
Sinjali dje ka raportuar se në lidhje me këtë rast është intervistuar i dyshuari dhe disa dëshmitarë.
Këto informacione për Gazetën Sinjali i kanë konfirmuar nga Drejtoria e Policisë në Gjakovë. Nga kjo drejtori njoftuan se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./