Protesta në Tiranë: 3 punonjës policie në gjendje më të rëndë, njëri rrezikon humbjen e syrit

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestën e organizuar pasditen e sotme.

Përmes një komunikimi për mediat Policia njofton se 3 efektivë policie janë të plagosur rëndë dhe ndodhen ne spital me dëmtime serioze.

“Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej”, thotë ndër të tjera policia.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike zyrtarisht gjendjen e personave që janë paraqitur në spital pas protestës së sotme, ku shfaqën edhe momente tensioni dhe konfrontime.

Në një komunikim për mediat, bëhet me dije se në spital janë paraqitur 8 policë dhe 2 protestues të lënduar.

“Tetë punonjes te policise dhe dy protestues jane duke u trajtuar ne spitalet universitare te Tiranës, ku njëri prej punonjësve të rendit ka dëmtime më serioze. Në spitalin e Traumës po trajtohen aktualisht 7 punonjës të policisë dhe 2 protestues në gjendje të stabilizuar. Ndërsa në Qendren Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohet nje punonjës i policisë, gjendja e te cilit, sipas mjekëve, eshte serioze, pasi rrezikon humbjen e njerit sy dhe pritet t’i nenshtrohet nderhyrjes kirurgjikale”, njofton ministria./Opinion.al

Njoftim i Policisë së Shtetit
Tubimi i nisur pasditen e sotme para godinës së Ministrisë së Brendshme u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie që ishin në shërbim, në ruajtje të institucionit.

Më pas, turma u drejtua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përqendruar perpara Kryeministrisë. Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej.

Si pasojë e plagëve të marra, 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta.

Policia e Shtetit bëri të gjitha përpjekjet për menaxhimin me shumë përmbajtje të dhunës së papritur dhe të padrejtë ndaj punonjësve të saj dhe ndaj institucioneve.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë protestuesit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve, pasi cilido do të përballet me pasojat ligjore.

Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve, të cilët kanë bërë thirrje sot në rrjetet sociale për t’u grumbulluar në protestë, të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar thirrjet për dhunë, pasi dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit.

Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjes policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private.