Për 1 Maji-Ditën Ndërkombëtare e Punëtorëve do të protestohet. Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, ka paralajmëruar protestë në shenjë pakënaqësie ndaj mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë.
Sipas një njoftimi për media tubimi i protestuesve do të bëhet nga ora 10: 30 deri në orën 11:00 në oborrin e Bibliotekës Kombëtare për të vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë.
“Në orën 11 fillon marshimi drejt MASHTI-t. Protestuesit këtu ndalën 5 minuta e pastaj vazhdojnë në koristë në anën e djathtë drejt Konvikteve. Nga aty vazhdojnë marshimin drejt Katedrales e nga aty drejt Hotel ‘Grand’ dhe sheshit ‘Zahir Pajaziti’ për të vazhduar nëpër shesh deri te ndërtesa e Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Përveç protestave nga SBASHK, janë paralajmëruar edhe disa aksione simbolike.
Rinia Demokratike e Kosovës pritet të zhvillojë një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës në orën 10:00.
Gjithashtu, edhe Blloku Feminist Antikapitalist organizon marsh protestues për Ditën e Punëtorëve në orën 12:00.
Me rastin e 1 Majti Komuna e Prishtinës ka vendosur që për 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, të ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të parkut Gërmia, përpos autobusëve të linjës 4 dhe veturave emergjente.
Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali, thuhet në vendimin e Komunës.
Të drejtë qarkullimi do të kenë edhe banorët e lagjeve përreth Gërmisë. Parku Gërmia më 1 Maj tradicionalisht vizitohet nga qytetarë të shumtë.
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo festë lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.