Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, ka mbajtur sot takim me përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShKut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës.
Përmes një komunikate për media, kjo ministri njofton se ky takim ishte vazhdimësi e takimit të së premtes gjatë së cilit u shqyrtuan mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.
Ministrja Nagavci citohet të ketë shprehur brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por megjithatë ka thënë se primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve.
“Ministrja, po ashtu, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim bëhet e ditur se janë pajtuar se është i nevojshëm pushimi pranveror, për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi.
Ministrja Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i DKA-ve që të deri nesër të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë.