Prokurorja që ka udhëhequr aksionin e sotëm në regjionin e Pejës, Lumturije Vuqetaj, ka thënë në konferencë për media se zyrtarët e arrestuar dyshohen se kanë lëshuar leje në kundërshtim me ligjet përkatëse.
Sipas prokurores Vuqetaj bëhet fjalë për objekte që janë në ndërtim e sipër.
“Janë arrestuar dhe shoqëruar persona që janë kompetente dhe në këtë fazë jemi duke grumbulluar prova mbi bazën të cilën është krijuar dyshimi se të njëjtit kanë manipuluar me autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre sipas ligjit. Në këtë drejtim, kemi dyshime edhe për konflikt interesi në raport të cilët janë familjar. Jemi në fazën e hershme”, ka thënë ajo.
Vuqetaj paralajmëroi vazhdimin e aksionit pasi siç tha ajo “ky është vetëm fillimi” sepse kanë bazë të mjaftueshme për të vazhduar tutje.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj ka thënë se aksioni është nisur nga ai pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët rreth ndërtimeve pa leje.
“Kjo iniciativë ka rrjedhur prej meje si kryeprokuror fillimisht, pas shqetësimit të qytetarëve rreth ndërtimeve pa leje që po ndodhin në komunat Pejë, Klinës, Deçanit, Junikut. Pas marrjes se këtyre informatave, kam caktuar pesë prokurorë të cilët fillimisht janë marrë me grumbullimin e informatave rreth ndërtimeve. Kemi shkuar për bastisje në tri komuna, Pejë, Klinë dhe Istogut. Më këtë rast janë arrestuar 10 zyrtarë me dyshimet fillestare se kishin kryer veprën penale keqpërdorim i autoritetit apo i pozitës zyrtare.
Në mesin e të arrestuarve të sotëm nga ky aksion i gjerë janë Rajan Arapi – drejtori i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.