Prokuroria zvicerane me detaje për tragjedinë e çiftit nga Kosova: Autori fillimisht ishte përballur me pronaren e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 10 prill 2025 në Epagny të Kantonit të Fribourgut në Zvicër, ku një burrë 41-vjeçar me origjinë nga Kosova ka vrarë gruan e tij 39-vjeçare, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Pas vrasjes së një gruaje nga burri i saj (i cili pastaj vrau veten) autoritetet zvicerane kanë njoftuar opinionin në një konferencë për media.

Sipas autoriteteve zvicerane, çifti i ndjerë nuk banonte në shtëpinë ku ndodhi krimi.

Gruaja punonte si pastruese në këtë rezidencë, ndërsa burri kishte hyrë në mënyrë të armatosur në shtëpi gjatë mëngjesit të së enjtes.

Fillimisht, ai ishte përballur me pronaren 81-vjeçare të shtëpisë, e cila kishte kërkuar që të largohej, por ai kishte shtënë me armë dhe kishte hyrë në objekt.

Pasi e kishte vrarë gruan në katin përdhes, autori ishte ngjitur në katin e sipërm, ku kishte kryer vetëvrasje.

Në të njëjtën kohë, në banesë kishte shpërthyer një zjarr, i cili u shua rreth mesditës nga shërbimet zjarrfikëse.

Trupat e pajetë të dy viktimave u gjetën më vonë nga autoritetet në rrënojat e shtëpisë.

Cédric Aebischer, drejtues i Seksionit të Krimeve të Përgjithshme në Policinë e Sigurisë, tha se burri kishte një plagë me armë zjarri, ndërsa gruaja katër të tilla.

Hetimet e deritanishme tregojnë se burri i identifikuar ishte një ish-montues i sistemeve të ngrohjes, kishte pasur një histori të dhunës në familje.

Ai ishte liruar kohët e fundit nga burgu me disa kushte, pasi gruaja e tij kishte bërë kallëzim penal për dhunë në familje dhe kishte nisur procedurat për divorc.

Sipas burimeve të gazetës Blick, autori kishte një pasion të theksuar për armët, të cilat i posedonte edhe në vendlindje dhe i tregonte shpesh kolegëve të tij.

Në rrjetet sociale, ai kishte shfaqur edhe përfshirje të mundshme politike.

Çifti kishte katër fëmijë, ndër ta edhe një djalë të rritur që punonte në të njëjtën kompani ku kishte punuar më parë edhe babai i tij.

Pronari i komunës së Epagny-t, Jean-Pierre Doutaz, konfirmoi se viktimat nuk ishin banorë të përhershëm të zonës.

Pronarët e shtëpisë, të moshuar, nuk janë lënduar, por janë duke marrë ndihmë psikologjike pas traumës së përjetuar.

Ngjarja tronditi komunitetin lokal. Policia dhe njësitë speciale rrethuan zonën dhe e izoluan për disa orë. Rruga kryesore midis La Tour-de-Trême dhe Epagny u mbyll për qarkullim deri në orët e pasdites.

Në një konferencë shtypi, drejtues të prokurorisë dhe policisë theksuan se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj tragjedie./Telegrafi/