Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar që i vetmi dënim i përshtatshëm ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt është ai me burgim. Në dorëzimin e dosjes së saj përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga gjashtë vjet burgim dhe me nga 100 euro gjobë. E në parashtrimet e bëra për masën dënimit para trupit gjykues prokurori James Patch ka thënë se provat tregojnë që të akuzuarit nuk i kanë ndërmarrë veprimet e tyre në interes për publikun.
Sipas prokurorisë veprimet e tyre kanë qenë me dashje konkrete për të penguar punën e gjykatës dhe frikësuar dëshmitarët.
Provat tregojnë që ata nuk i ndërmorën veprimet e tyre për interesin publik, ata i kryen krimet sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak ndaj dëshmitarëve, kjo nuk është në interes të publikut”, ka thënë përfaqësuesi i ZPS-së.
Para trupit gjykues, ZPS ka thënë se i vetmi dënim i përshtatshëm në këtë rast gjyqësor është ai me burgim.
“Një parashtrim tjetër i mbrojtjes që ju duhet të hidhni poshtë është që të ipet dënim me gjobë në këtë rast. Ne e kemi trajtuar këtë, dhe japim arsye të shumta pse, por do të them vetëm që paneli nuk duhet të vërë një vlerë monetare për kryerjen e krimeve për të cilat janë akuzuar të akuzuarit, sepse edhe kur persona të ndryshëm sidomos kur persona të tjerë mund të ishin të gatshëm të paguanin atë gjobë, i vetmi dënim i përshtatshëm është një, me burgim. Ajo që e kemi kërkuar ne si prokurori e specializuar është e duhur, proporcionale dhe e nevojshme”, ka thënë prokurori Patch.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.