Një konflikt mes dy familjeve Gashi dhe Krasniqi në komunën e Malishevës, dje përfundoi tragjikisht. Për shkak të një mosmarrëveshje që dyshohet se lidhet me një borxh, 30-vjeçari, Shkodran Krasniqi, u qëllua për vdekje nga njëri prej anëtarëve të familjes Gashi.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaji ndaj tetë të dyshuarve Kastriot Gashi, Fatmir Gashi, Xhavit Gashi, Asdren Gashi, Qendrim Krasniqi, Labinot Krasniqi, Dardan Krasniqi, dhe Arsim Morina të cilët dyshohen për vrasjen e së enjtes në fshatin Balincë në Malishevë.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se ndaj të pandehurve me inicialet XH.G, F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të pandehurit me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh”.
Sipas njoftimit, Xhavit Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa të dyshuarit e tjerë, Fatmir Gashi Kastriot Gashi Asdren Gashi, Labinot Krasniqi, Dardan Krasniqi, Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri XH.G, ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” nga neni 173 par.1 në par.1.5 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurit F.G, K.G, A.G, L.K, D.K, Q.K dhe A.M, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 par.1 të KPRK-së”.
Lidhur me rastin, njësitë policore kanë kryer edhe bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri dhe një automjet.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj dje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.