Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur deri më tash janë ngritur 20 aktakuza kundër 21 personave për veteranët, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me dokumente të falsifikuara ashtu që të fitojnë statusin e veteranit.
Prokurorja, Lumturije Vuçetaj ka thënë në një konferencë për media në Pejë, se deri tani kanë hetuar rreth 800 nga gjithsej 7830 dosje, që ka pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Vuqetaj ka thënë se Prokuroria do të vazhdojë hetimin e secilit rast në mënyrë individuale.
“Hetimi jonë i deritanishëm, i cili do të rezultojë edhe me hetime të tjera, konsiston se do të ketë kallëzime penale shtesë dhe në këtë kontest përveç ngritjes së 20 aktakuzave, jemi duke hetuar edhe rastet të tjera, por që marrin kohë”, është shprehur Vuqetaj.
Sipas saj, nga hetimet e bëra, certifikatat mbi statusin e veteranit të luftës dhe dokumentet për vërtetimin e statusit të veteranit, janë rastet më të shpeshta të falsifikimit.
“Sipas hetimeve këto certifikata janë siguruar nga persona të ndryshëm dha kanë kaluar në disa procese dhe midis disa ndërmjetësuesve. Gjatë hetimeve kemi vërejtur në të shumtën e rasteve një person që ka bërë këto veprime. Ai person është në arrati”, ka deklaruar prokurorja Vuçetaj.
Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka hapur rastin e njohur në opinion si “Veteranët”.
Pjesë e këtij rasti janë 12 persona, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lidhur me këto raste, në vitin 2018, prokurori, Elez Blakaj pati dhënë dorëheqje./Klina.info