Prokuroria e konfirmon, tre të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan dërgohen në ndalim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj ka konfirmuar arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Ai shkurt njoftoi se të arrestuarit janë dërguar në ndalim dhe pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

“Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen në Gllogjan, me dyshimin për vrasje të rëndë. Të njëjtit janë ndaluar dhe po përgatitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë. Nuk mund të japim informata të tjera. Edhe pas arrestimit të tyre për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për ndriçimin e këtij rasti. Nuk do të ketë as pyetje”, tha Kurmehaj.

Gazeta Sinjali sonte raportoi ekskluzivisht se të arrestuarit për këtë rast janë Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij Kreshnik dhe Malsor Mehmetaj. Përveç arrestimit të tyre, njësitet policore tashmë kanë nisur aksionin për kapjen e të dyshuarit të katërt lidhur me këtë vrasje.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se provat e grumbulluara deri më tani mbështesin dyshimin e bazuar se të arrestuarit mund të jenë përfshirë në vrasjen e shoferit të autobusit dhe dy nxënësve.

Sipas provave, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020. Për vetëvrasjen e saj fajësohej shoferi që u vra, Gani Gjokaj.

Sinjali po ashtu mëson se lidhur me vrasjen e trefishtë, hetuesit e Krimeve të Rënda në stacionin policor në Deçan kanë intervistuar edhe një nip të familjes Mehmetaj, i cili është liruar në mungesë të provave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.