Projektligji për Trustin pritet që brenda pak ditësh t’u dërgohet deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky projektligj do të kthehet në Kuvend pasi që të premtën ka përfunduar afati për mendim për projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondin pensional të Kosovës, që mundëson tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë mendim rreth Projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Fillimisht do ju përcillet deputetëve pastaj do dërgohet në Kuvend për votim.
Kuvendi në muajin qershor kishte refuzuar që të tërhiqen paratë nga Trusti.
Në muajin korrik kishte nisur një peticion nga Partia Demokratike e Kosovës i cili ishte nënshkruar nga 21 mijë qytetarë.
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.
“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.
Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.