Profesori nga Universiteti “Yale”, James Silk, ka drejtuar në adresë të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, një shkresë me të cilën ka thënë se Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth refuzimit të lejes së qëndrimit në Kosovë të shtetasit amerikan Tienmu Ma, këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.
Sipas profesorit të të drejtave të njeriut, krejt kjo për shkak të një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme që mori ditë më parë për Tienmu Ma, ish-këshilltarin ligjor të ish-kryeministrit, Albin Kurti, për mos vazhdim të leje qëndrimit në Kosovë.
Ma ishte angazhuar dy vite më parë në cilësinë e ekspertit nga Komisioni Parlamentar i cili kishte hetuar dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Profesori Silk e ka quajtur si hakmarrje mos vazhidimin e qëndrimit të tij në Kosovë. Ndërsa, shkresën ia ka drejtuar edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit ameriakn, Matthew Palmer dhe Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
“Kjo sjellje, që mund të shihet vetëm si përpjekje për t’u hakmarrë kundër një juristi të të drejtave të njeriut, thjesht pse ka bërë punën e tij të duhur e të rëndësishme, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejt demokracisë dhe vendosjes së sundimit të ligjit; por cenon qartë edhe Deklaratën e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut. Abuzime të këtilla përbëjnë bazë për hetimin e veprimeve të Kosovës nga Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në letrën e James Silk.
“U ndjeva thellësisht i shqetësuar kur mësova për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë suaj për të larguar nga Republika e Kosovës juristin e të drejtave të njeriut Tienmu Ma, sidomos tani që jemi në mes të pandemisë COVID-19”, thuhet tutje në letrën e profesorit i cili ligjëron në Universitetin “Yale”.
Në fund të letrës, ai ka kërkuar nga ekzekutivi kosovar që ta rishqyrtojë vendimin e ministrisë së Agim Veliut, e gjithashtu, ka thënë që nuk pret që Ma të depërtohet nga Kosova.
“Jam i pikëlluar që Qeveria juaj, për çka duket të jenë arsye të pahijshme politike, po kërcënon të largojë me forcë këtë goxha djalë dhe shërbyes publik të dedikuar nga vendi të cilit është përpjekur t’i shërbejë besnikërisht, duke sakrifikuar herë-herë edhe interesat e veta. Për hir të reputacionit të Kosovës si shtet demokratik që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ju nxis të garantoni sigurinë e z. Ma. Për më tepër, ju nxis, së pari, që Qeveria juaj të mos ndërmarrë hapa për të deportuar z. Ma dhe, së dyti, që Qeveria juaj të rishqyrtojë vendimin e vet të pavend e të dëmshëm para se kjo çështje të bëhet shkak i turpërimit ndërkombëtar të Kosovës dhe para se t’i sjellë dëm të mëtejmë z. Ma”, thuhet në fund të letrës.