Italia është vendi i dytë pas Kinës, ku virusi korona ka marrë më së shumti jetë.
Ky shtet është totalisht i izoluar, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të rrin të karantinuar, për të parandaluar epideminë vdekjeprurëse, që goditi së pari veriun.
Ndonëse në Kosovë numri i të prekurve deri më tani ka shkuar në 15, ky numër do të rritet nëse nuk merren masa rigoroze dhe nëse qytetarët nuk rrin të izoluar brenda shtëpive të tyre.
Kështu tha përmes një linje telefonike në Klan Kosova profesoresha shqiptare që ligjëron në Itali, Majlinda Bregasi.
Duke treguar për situatën momentale në shtetin italian, ajo tha se është një solidarizim i paparë më herët, çka se duhet të ndodhë edhe në Kosovë.
“Nëse njerëzit nuk do të mbyllen brenda për dy a tri javë, do të ketë pasoja të mëdha. Shqipëria po merr masa, njësoj duhet të bëj edhe Kosova.
Vatra e parë ishte në Lombardi në fillim dhe të gjithë kërcenin në diskoteka, lëshonin muzikë “Korona Korona”, por kur situata eskaloi atëherë paniku i vu në gjithë Italinë”, tha ajo, përcjellë Indeksonline.
Profesoresha shqiptare shtoi tutje se neglizhenca e secilit sjellë pasoja.
“Shpresoj që gjendja s’do të përkeqësohet në Kosovë, përndryshe të gjitha shakatë do të kthehen në bumerang dhe do të ketë pasoja katastrofike, Shteti italian ka marrë masa të rrepta dhe mbrojtëse. Kanë vënë qytetarin para ekonomisë, janë pezulluar të gjitha qeratë, kreditë e të gjitha bankave, është një sakrificë e madhe e shtetit italian, që qytetari mos të stresohet sepse ndryshe do të jetë i detyruar të dalë e të punojë. Dy javë sakrificë s’janë asgjë. Nëse nuk merrni mësim nga Kina dhe Italia e Veriut, atëherë jeni njerëz të papërgjegjshëm. Në Itali përgjegjësimi i italianë është sot në kulm ashtu edhe solidariteti”. ka thënë Bregasi./Indeksonline