Prof. Pal Canaj rrëfen për takimin e fundit me Hamit Krasniqin

Homazh me rastin e vrasjes së Hamit Krasniqit nga forcat serbe, më 28 mars 1999
Evokim kujtimi nga takimi i fundit me Hamit Krasniqin

Ishte 25 marsi i vitit 1999, dita e dytë e intervenimit të NATO-s ndaj forcave serb, në ish Jugosllavi. Klina dhe gjithandej Kosova ishte e rrethuar në unazën e hekurt nga milicia, paramilitarët dhe ushtria serbe.

Aty kah ora e 10-të e paradites, në telefonin e shtëpisë ra zilja, posa e mora receptorin, në anën tjetër u dëgjua zëri i Hamit Krasniqit.

Pasi ndërruam fjalët përshëndetëse, Hamiti me tha: “Pal, kemi biseduar me Prenk Gjetajn dhe duhet të takohemi sot në arën 13,00. Shpresoj që edhe Prenka nga Budisalci do të gjejë mënyrën që të vijë deri në Klinë. Të tjerët veprimtarë nuk janë të thirrur për shkak të rrethanave skajshmërisht të vështirësuara”.

Hamiti Krasniqi ishte anëtarë i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe zëdhënës për informim. Prenk Gjeta ishte nënkryeja i degës së LDK-së në Klinë, ndërsa unë isha kryetar i Nëndegës së LDK-së për qytetin e Klinës dhe për dy fshatra Gjyrgjevik i Vogël dhe Krushevë e Vogël. Nëndega e qytetit të Klinës ishte më e madhja në kuadrin e degës së LDK-së në Klinë .

Pak para orës 13, të ardhur nga drejtime të ndryshme, jemi takuar me Prenk Gjetajn para dyerve të oborrit të shtëpisë së Hamitit. Në ato çaste ka dalë Hamiti dhe na është drejtuar me fjalë që të hyjmë në shtëpinë e tij. Prenka ka thënë: “jo Hamit sepse mund ta rrezikojmë familjen, do ta mbajmë takimin në zyrën e LDK- së”. Hamiti prapë ka insistuar që të hyjmë në shtëpinë e tij. Por pasi që edhe unë u pajtova me mendimin dhe propozimin e Prenkës, kemi shkuar në zyrë të LDK-së që ishte jo larg shtëpisë së Hamitit.
Në Zyrën e LDK-së në Klinë. takimi është zhvilluar në kohëzgjatje diku afro gjysmë ore. Hamiti na ka informua rreth situatës në zonat e luftës të cilat i kishte vizituar kohë më pare, unë e kam përshkruar situatën vështirësuar në qytetin e Klinës dhe fshatrave për rreth, ndërsa Prenka ka folur, si të veprohet me popullatën në rrethanat e krijuar .
Edhe pse kohëzgjatja e takimit ishte mjaft e shkurtër, në çdo moment pritej ndërhyja në zyrë nga milicia serbe.
Pas përfundimit të takimit, kemi dalë nga zyra, pasi qe jemi përshëndetur me shtrëngim duarsh, jemi shpërnda që të tre në drejtime të ndryshme.

Në mbrëmjen e asaj dite, në lagjet e qytetit milicia dhe paramilitarët serb kanë filluar që t’i përzënë njerëzit nga shtëpitë e tyre, duke u vënë zjarrin disa prej shtëpive dhe duke i arrestuar disa meshkuj. Kjo gjendje tmerri e përshkallëzuar ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim të atij fund marsi
Gjatë luftës dhe bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, ishte përhapur lajmi se është vrarë profesori dhe veprimtari atdhetar, Hamit Krasniqi, Poashtu flitej se forcat serbe i kanë ekzekutuar edhe Emin Deskun dhe Ramë Morinën. Ndërsa pas luftës këto lajme të kobshme që kane të bëjnë më datën 28 mars të vitit 1999, u dëshmua të vërteta.
I përjetshëm kujtimi për Hamit Krasniqin dhe për të gjithë ata që e skuqen tokën e Kosovës me gjakun e tyre!

Pal Canaj
Klinë, 28 mars 2025