Prof Hajdin Morina UÇK

UÇK

(“Kosova ishte në gjunjë dhe ushtarët e UÇK-së e ngritën në këmbë”-
Rexhep Qosja*)

Shkronja Ç e UÇK-së
ka nën orbitën e vet
një këmbëz për të gjitha pushkët
që zbrazi atdheu kundër territ.

Shkronja Ç e UÇK-së
ka formën e çerdhes
ku hyn përditë syri dhe dielli.

Shkronja Ç e UÇK-së
ka në fund të saj një çengel
ku zgjatëm duart tona të holla
dhe u ngritëm në këmbë.

Shkronja Ç e UÇK-së
ka në fund të saj
një shenjë
në formë të presjes,
në formë të rezes
që hap portat e dritës.
__________________________________________________________
* Dr.prof. Sabri Kiçmari, “Filozofia dhe etika politike e Rexhep Qosjes”,
gazeta “Epoka e re”, Prishtinë, 24 qershor 2022.

SILUETAT E LIRISË

Ajo në fillim
ka formën e siluetës
nga e cila ikin njerëzit.

Për shembull,
ka formën e plisave të bardhë
që skuqin mëngjesin dhe detin
në Tivar.

Pastaj, po,
mësues i burgosur disa herë,
ajo bëhet,
mësues i sëmurë
nga i cili nuk ikin nxënësit,
por kolegët.

Liria nganjëherë
bëhet demonstratë e studentëve
që nuk shpërndahet nga ushtria e huaj
as nga mbledhjet e partisë
në fshat e në qytet
për t’i shpallur armiq
vajzat e Kosovës dhe djemtë.