PROF. HAJDIN MORINA ARRATISESH

ARRATISESH

Arratisesh,
sepse kjo është e drejta
dhe liria jote
në këtë kohë
kur Atdheun e gjen
vetëm në kodrat 
e përmendoreve.

Arratisesh larg arenës
ku presin qytetarët në radhë
të ndëshkohen
sepse s’e kanë partinë të parën,
por Kosovën.

Lexon shpesh romanin “Procesi”
të Franc Kafkes
dhe zgjedh të drejtën e heshtjes
para padrejtësisë së gjykatës,
sepse nuk je në gjendje
të gjykosh a je ti në ty
a Jozef K.
që dënohet për hiçgjë.

 

NUK ZHVISHEM

Më ra ndër mend atëkohë
me u vesh me rrobat
që s’m’i zhvesh ti dot.

Deri në asht nëse më zhvesh,
një nga një më dalin lëkurët

si gurëve që nuk shkulen.

Mua s’më zhvesh
as veten s’e vesh.

Unë nuk zhvishem,
ti nuk vishesh.

Të dytë jemi lodhur
në lojën tonë të gjatë
qysh prej fillit të fillimit.

 

BALADË E KEQE

Që të mos ketë 
urë asnjëherë,
urë as rrugë
për te ti
e për tek unë,
sa herë bëjmë 
mur të ri,
teprojnë gurë
për mure të tjerë
dhe për dorën që gjuan
krahët e vet.

Sepse jo unë e ti,
por ndarja
në ditën e parë të fillimit ishte,

ndarja jonë,
kjo baladë e keqe.