Mediat spanjolle dy ditët e fundit shkruajnë intensivisht për situatën me Jude Bellingham, i cili nuk është as hije e futbollistit që i solli trofe Real Madridit vitin e kaluar.
21-vjeçari anglez ka pasur një fillim makthi të sezonit. Vitin konkurrues e nisi me lëndim, u kthye në fushë dhe më pas nuk shënoi gol në nëntë ndeshje.
Pakënaqësia e tij është evidente në çdo ndeshje dhe gjërat dolën jashtë kontrollit pasi ai filloi të bërtiste ndaj Vinicius Junior gjatë ndeshjes kundër Celta Vigos, sepse nuk i pasoi një top. Gjithashtu, në çdo lëvizje mund të shihni se ai është nën presion.
Gazeta spanjolle Marca nuk kishte mëshirë për paraqitjet e Bellinghamit, ndaj e quajtën me aq ashpërsi në ballinën e gazetës: “Nga 10 në 0 në vetëm një vit”.
Marca njoftoi mëngjesin e sotëm se kishte një problem në dhomën e zhveshjes. Sipas gazetës gjithnjë të besueshme, Bellingham është i frustruar me formën e tij dhe i pakënaqur me statusin e tij në klub.