Ramush Haradinaj ka kërkuar bashkëpunim të të gjithë faktorëve për Kosovën ndërsa tha se nëse pas 4-5 vitesh Kosova nuk është në NATO, nuk janë liberalizuar vizat, nuk është njohur nga pesë vende të BE-së dhe nuk është antarësuar ne OKB, do të kërkojë referendum për bashkim me Shqipërinë.
Naim Musliu, kandidat për deputet në Kosovë, referuar kësaj deklarate tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen ama jo si një shtet i vetëm por aty ku e kanë vendin, në Bashkimin Europian.
Teksa sqaroi se për shkak të angazhimeve zgjedhore nuk ishte në dijeni të deklaratës theksoi gjithashtu se synimi i tyre momentalisht është forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës, njësoj siç është synim ky dhe i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Në intervistën për Euronews Albania, Musliu tha se të gjitha partitë rrjedhin nga populli kosovar dhe PDK-ja nuk ka vija të kuqe sa i takon koalicioneve, dhe ato pengesa që kjo parti ka pasur në zgjedhjet e kaluara tashmë janë transformuar në vija të gjelbra.
“Pas zgjedhjeve, janë strukturat e partisë ato që vendosin. Ne besojmë fuqishëm se Partia Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet dhe do t’i formojë institucionet,” – u shpreh Musliu.
Sa i takon qëndrimit të Vetëvendosjes përkundrejt Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Musliu pohoi se si parti opozitare nuk mund të pritet gjë tjetër nga LVV-ja teksa nuk hodhi poshtë mundësinë se strukturat e partisë ku ai është anëtar, mund të kishin bërë më shumë.
“Ata dinë të kritikojnë por nuk kanë një plan qeverisës, nuk tregojnë se çfarë do bëjnë ata si pasardhës të qeverisë,” – shtoi Musliu.
Ndër të tjera ai tregoi Partia Demokratike e Kosovës po hyn në këto zgjedhje me mungesa të mëdha.
“Ne na mungon kryetari i partisë z. Kadri Veseli dhe udhëheqësi shpirtëror i partisë, z. Hashim Thaçi por ne si strukturë jemi të vendosur që këto mungesa t’i kthejmë në solidaritet dhe forcë për fitoren e PDK-së,” – u shpreh Musliu.
Sipas tij të gjitha proceset e rëndësishme që kanë kaluar në Kosovë, kanë kaluar përmes Partisë Demokratike të Kosovës