Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka vendosur që sot të organizojë një protestë, pasi sipas tyre, ende nuk janë përfillur kërkesat për 100 euro shtesë çdo muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Ndërkohë, sot nuk mbahet mësim në të gjitha shkollat e Kosovës, pasi mësimdhënësit do t’i bashkohen protestës që do të mbahet në Prishtinë.
Sot në Prishtinë do të protestojnë punëtorët e sektorit publik, organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ditë më parë ka thënë për Radio Kosovën, se kërkesat e tyre janë që deri në miratimin e Ligjit për Paga, të gjithë punëtorët e sektorit publik të marrin një shtesë prej 100 euro në muaj, të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe të nënshkruhet marrëveshja kolektive gjithëpërfshirëse.
”Ne kemi kërkuar dialog me Qeverinë e Kosovës. Kërkesat tona që i kemi parashtruar janë edhe në të mirë edhe të qeverise e të cilat kanë për qëllim fuqizimin e punëtorëve. Por nëse nuk do të ketë dialog dhe plotësim të kërkesave tona ne, si sindikalistë, kemi veprimet tona sindikale të cilat nuk jemi të interesuar që t’i ndërmarrim, por nëse është nevoja ne ditëve në vazhdim do të veprojmë sindikalist”, tha ai.
Ndërkohë, në të gjitha shkollat e vendit nuk po mbahet mësim, pasi Sindikata e Arsimit, ka vendosur që t’i bashkohet protestës. Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se mësimdhënësit nga i gjithë vendi, përfshirë edhe ata të universiteteve, janë nisur drejt Prishtinës për të qenë pjesë e protestës.
“Duke u nisur nga fakti se punëtorët e arsimit do të jenë në protestë, kemi ardhur në përfundim që t’u drejtohemi prindërve, që nuk ka mësim, pasi mësimdhënësit do të jenë në Prishtinë në protestë, nuk do të jenë në shkollë”, tha ai.
Jasharaj, bëri të ditur se kanë pasur një takim edhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për t’i kërkuar që të angazhohet në realizimin e kërkesave të tyre, duke filluar dialogun me Qeverinë, në mënyrë që të mos shkohet në grevë të përgjithshme.
Më 12 maj, SBASHK-u organizoi një grevë njëorëshe në të gjitha nivelet e arsimit në vend.