Muaji gusht është koha kur kalon afati prej gjashtë muajsh, kur Gjykata Speciale duhet të vendosë në lidhje me aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Francezi Nicolas Giju, që ishte caktuar si gjyqtar i procedurës paraprake, i kanë mbetur edhe pak ditë të vendosë, nëse këto aktakuza do të konfirmohen apo të refuzohen.
Kjo pasi akuzat e para në Gjykatë, ishin dorëzuar saktësisht më 24 shkurt. E për të vendosur rreth tyre, sipas Rregullit për Procedura dhe Prova, gjyqtari ka kohë 6 muaj.
Në një përgjigje për RTK-në, Gjykata Speciale s`ka treguar nëse ka ndonjë vendim për aktakuzat e dorëzuara në shkurt. Vetëm se kanë thënë, që gjyqtari ka të drejtë t’i konfirmojë aktakuzat, e të kërkojë që ato të mos bëhen publike.
“Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike. Rregullorja për Procedurat dhe Provat ka një numër skenarësh për publikimin e një aktakuze të konfirmuar. Rregulli 88 thotë se gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë që aktakuza e konfirmuar të mos bëhet publike, për arsye sigurie apo të procedurave”, thuhet në përgjigje
E avokatët e licencuar nga Specialja, e pranojnë se në ditët e ardhshme, mund të ketë zhvillime sa i përket aktakuzave të para.
“Tani është koha pra që mbushet ai afati 6 muaj, dhe në bazë të Ligjit, statusi i akakuzës duhet të bëhet publik, dhe të njoftohet potencialisht i akuzuari për akuzën e tij. Ose mund të hudhet aktakuza, por prap duhet të njoftohet publikisht”, thotë Taulant Hodaj.
E avokati Artan Qerkini sqaron procedurat, deri kur duhet të bëhet publik vendimi për një aktakuzë nga Gjykata.
“Aktakuza duhet të publikohet më së largu deri në paraqitjen e parë të pandehurit para gjyqtarit, dhe ajo paraqitje ndoëh në afat prej 1 jave kur të pandehurit i konfirmohet akti akuzues”, tha Qerkini.
Pas aktakuzave të para të dorëzuara në muajin shkurt, një tjetër aktakuzë është dorëzuar në muajin prill, në të cilën prokurori kishte bërë të ditur se janë të akuzuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.