Presidentja Vjosa Osmani e ka pranuar letër edhe nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e tij, presidenti gjerman thotë se e mban mend mirë 17 Shkurtin e vitit 2008.
“17 Shkurtin e vitit 2008 e mbaj mend mirë. Si Ministër Federal i Punëve të jashtme asokohe, së bashku me shumë partnerë evropianë dhe të SHBA-ve, u deklarova në ato ditë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë për njohjen e Kosovës. Ndaj është knaqësi e veçantë të mund t’ju uroj në përvjetorin e katërmbëdhjetë të pavarësisë së vendit tuaj”, thuhet në letrën e Steinmeier.
Steinmeir shkruan po ashtu se gjatë vizitës së fundit të Osmanit në Gjermani, u thelluan në marrëdhëniet dypalëshe.
“Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani. Gjatë vizitës suaj shtatorin e shkuar në Berlin ne patëm mundësi të thelloheshim në aspekte të shumta të marëdhënieve tona dypalëshe. Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian. Në këtë kontekst një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës”, ka shkruar ai.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku është shprehur se mbetet sfida më e madhe diplomatike e Kosovës.
“Në të njëtën kohë dialogu me Serbinë mbetet me gjasë sfida më e madhe e politikës së jashtme për Kosoven. Unë kam besim në angazhimin konstruktiv të qeverisë suaj për bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE përmes të Ngarkuarit të Posaçëm Miroslav Laje”, të cilin e mbështes me bindje të plotë. Kosova mund të ketë besim, se te Gjermania do të gjejë një mik dhe partner të besueshëm në krah të saj”, thuhet në këtë letër.
Presidentja Osmani tha se gjatë takimit të fundit me Steinmeier e ka marrë përkrahjen e palëkundur të Gjermanisë.